Monday, December 29, 2014

Zbulohen karakteristikat e Huawei Ascend P8

Ka mbetur më pak se një javë nga zhvillimi i panairit CES 2015, ku qindra kompani teknologjike nga e gjithë bota pritet të mblidhen në Las Vegas dhe të prezantojnë pajisjet e tyre të reja. Huawei pritet të prezantojë telefonin inteligjent Ascend P8 në panairin CES 2015.
Ndërkohë, janë shfaqur në internet disa nga karakteristikat e këtij telefoni inteligjent. Këto specifika janë publikuar në internet nga blogu francez NoWhereElse. Sipas këtij blogu, telefoni inteligjent Ascend P8 do të ketë ekran 5.2 inç full HD dhe procesorin HiSilicon Kirin 930 me tetë bërthama. Ai do të ketë gjithashtu kasa prej metali, lidhjen LTE, kartën microSD dhe kamera të pasme 13 megapikselë me blic LED.
                                                               AL-Kuriozitete

Tuesday, December 23, 2014

Samsung mund të krijojë një shërbim për pagesa të ngjashëm me Apple Pay

Samsung është akuzuar shpesh se kopjon Apple-in, prandaj edhe kompania me bazë në Kupertino ka paditur Samsung-un disa herë.  Apple prezantoi shërbimin e saj të parë për pagesa, Apple Pay, në muajin shtator, dhe tani Samsung ka vendosur të krijojë një shërbim të ngjashëm me të.
Duke cituar burime të ndryshme, Re/code  raporton se Samsung ka diskutuar me disa kompani që merren me pagesat nga pajisjet mobile për të sjellë këtë shërbim gjatë vitit të ardhshëm.
Nëpërmjet shërbimit për pagesa që Samsung ka në plan të krijojë, pajisjet e Samsung-ut mund të përdoren për të bërë blerje tek dyqanet me pakicë, duke eliminuar mbajtjen e kartave të kreditit ose parave në dorë.
AL- Kuriozitete

Apple rifillon shitjet e iPhone-ve në Rusi me çmime të larta

Para gati një jave, Apple pezulloi shitjet në Rusi për shkak të lëkundjes ekstreme të monedhës së këtij shteti, e cila ndikon tek çmimet. Tani Apple ka vendosur të fillojë përsëri shitjet e pajisjeve të saj në Rusi. Gjiganti i Kupertinos ka rritur çmimet e linjës së iPhone-ve për të njësuar vlerën e kësaj monedhe përkundrejt dollarit amerikan.
iPhone 6 me 16GB hapësirë tani kushton në Rusi 53,990 rubla (rreth 956 dollarë). Çmimi është rritur rreth një të tretën, nga 39.990 rubla që kushtonte më parë. Rritja e çmimit të iPhone 6, bashkuar me zhvleftësimin e rublës ruse, bën që ky telefon inteligjent të kushtojë gati 70% më shumë se një muaj më parë. Apple rriti çmimet në këtë shtet në fund të muajit të kaluar.
                                                                    Al-Kuriozitete                                                                           

Sunday, December 21, 2014

Google sjell komandat zanore dhe në Chromebook

Deri tani ju keni pasur mundësi që të përdorni komandat zanore tek telefonat inteligjentë Android dhe orët inteligjente Android Wear, por së shpejti do të përfitoni të njëjtën veçori edhe tek kompjuterët Chromebook. Një veçori e re që gjendet tek versioni i ri i softuerit lejon përdoruesit të thonë “Ok Google” për të aktivizuar komandat zanore dhe kërkimet në laptop, ashtu siç veprojnë tek shumë telefona inteligjentë Android.
Komandat zanore mund të përdoren për të kërkuar informacione në internet, për të kontrolluar motin, për të gjetur itinerare etj. Chromebook do të dëgjojë komandat zanore sa kohë që ekrani është i ndezur.
Veçoria është përshkruar fillimisht nga punonjësi i Google-it, Francois Beaufort, në Google+. Për momentin është në dispozicion vetëm në kanalin Chrome Dev dhe përdoruesit duhet të aktivizojnë një ikonë të caktuar në menunë e opsioneve të Chrome OS për t’u qasur në të. 

Piratët kibernetikë vënë në lojë FBI-në duke i quajtur “idiot”

Zyra Federale e Investigimit (FBI) është vënë në lojë nga piratët kibernetikë, që fshihen pas sulmit të kompanisë Sony, me një mesazh me video, ku në fillim duket sikur po e lavdërojnë atë për hetimin “e shkëlqyer”.
Piratët kibernetikë, që vetëquhen “Guardians of Peace,” shprehen në mesazh se “Rezultati i hetimit nga FBI-ja është aq i drejtë sa ju mund të shihni me sytë e tuaj se çfarë kemi bërë. Ju përgëzojmë për suksesin tuaj. FBI-ja është më e mira në botë.”
Piratët kibernetikë hynë në sistemet e Sony-t dhe vodhën dokumente të rëndësishme një muaj më parë, pastaj i kërkuan Sony-t që të anulojë publikimin e filmit ‘The Interview’, sepse përmban një komplot për të vrarë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un. Sony iu nënshtrua kërkesave të tyre, pasi ata zbuluan detaje personale të punonjësve të kompanisë.
Në videon, që piratët kibernetikë e quanin si “dhuratë për FBI-në”, jepen një sërë fytyrash gazmore në trupa të animuar duke kërcyer dhe bërtitur, “Ju jeni idiot!” Mesazhi është si përgjigje e njoftimit të djeshëm të FBI-së, që deklaroi se ka informacione të mjaftueshme që tregojnë se pas sulmit të Sony-t fshihet qeveria e Koresë së Jugut.

Sunday, December 14, 2014

Google Maps do t’u tregojë evropianëve cilën korsi duhet të ndjekin



Për të ulur numrin e aksidenteve rrugore, Google ka shtuar një veçori të re tek shërbimi i saj Google Maps. Nuk ka gjë më të keqe për drejtuesit e makinave kur janë në një kryqëzim dhe marrin korsinë e gabuar. Për të ndaluar drejtuesit që të marrin korsinë e gabuar ose të ngecin në trafik, Google ka zgjeruar veçorinë e saj për “drejtimin në korsinë e duhur” (e prezantuar fillimisht në SHBA) edhe në Evropë.


                                         Al-Kuriozitete

Eshte krijuar një telefon inteligjent vetëm për të luajtur

Mitashi prezantoi telefonin inteligjent Play Thunderbolt me një levë për të luajtur dhe konsolën për lojëra, GameIn ThunderPro. Telefoni inteligjent Play Thunderbolt ka ekran 5 inç HD, fuqizohet nga një procesor me shpejtësi 1.2GHz dhe kartën grafike PowerVR SGX 544 GPU me shpejtësi 544 MHz. Ai vjen me 1GB RAM, 16GB hapësirë të brendshme, e cila mund të zgjerohet deri në 64GB nëpërmjet kartës microSD, dhe ka rrjetin 3G dhe dy vende për karta SIM.
Konsola për lojëra, GameIn ThunderPro, operon me sistemin Android, fuqizohet nga një procesor me katër bërthama me shpejtësi 1.6GHz me kartën grafike Mali 400 GPU, ka 1GB RAM dhe 8GB hapësirë të brendshme.
Konsola ka butonat Trigger, dy leva, dy altoparlantë dhe lidhjen HDMI. 
Ajo vjen me disa lojëra të ngarkuara nga EA. Telefoni inteligjent Mitashi Play Thunderbolt kushton 208 dollarë, ndërsa konsola GameIn ThunderPro kushton 160 dollarë.
                                                                   Al-Kuriozitete

Studim: Njerëzit shpërqendrohen nga telefonat e tyre edhe kur nuk janë duke i përdorur


Ekspertët sugjerojnë se kur duhet të punojmë është mirë që të fikim telefonin ose ta largojmë atë. Hulumtuesit ndanë studentët në dy grupe dhe u kërkuan të kryenin dy detyra të ndryshme që lidhen me përqendrimin.
Si fillim atyre u dhanë një faqe me 20 rreshta me numra dhe u kërkuan të rrethojnë një numër të veçantë kudo që ta shohin. Së dyti, ata duhet të bënin të njëjtën gjë dhe duhet të kryqëzojnë dy numra që janë afër në rreshta të ndryshme që shënojnë numrin e caktuar.
Gjatë dy eksperimenteve, gjysma e studentëve i mbajtën telefonat e tyre në tavolinë, ndërsa gjysma tjetër i larguan ata. Studiuesit zbuluan se në të dyja eksperimentet, ata që nuk mund të shihnin telefonat e tyre dolën më mirë se ata që mund të shihnin pajisjet e tyre mobile. Drejtuesi i këtij studimi, Bill Thornton, shkroi se shpërqendrimi nga pajisjet mobile ka pasoja të dukshme, si reagimi jo i drejtë në shumë raste.

Al-Kuriozitete

Facebook heq rezultatet e Microsoft Bing nga Graph Search

Facebook ka braktisur motorin e kërkimit Bing të Microsoft-it nga rezultatet e saj Graph Search. Siç thekson Reuters, përditësimi i fundit i Graph Search nuk përfshin më rezultate nga motori i kërkimit të Microsoft-it. Versioni i përditësuar i Graph Search tani shfaq postimet e vjetra të shpërndara me përdoruesit dhe më shumë informacione mbi miqtë e tyre pa pasur nevojë për një motor kërkimi në internet.
Të dyja kompanitë kanë kohë që bashkëpunojnë me njëra tjetrën. Megjithatë, Facebook do që të bëhet e pavarur dhe me 1.3 miliardë përdoruesit që ajo ka mund t’ia dalë.  Nëse Facebook vendos të konkurrojë edhe në fushën e kërkimit, rivali i saj më i madh nuk do të jetë Microsoft, por Google.
                                                       Al-Kuriozitete

Elephone P6000 operon me sistemin Android Lollipop

Telefonat inteligjentë kinezë po bëhen shumë popullor këto kohët e fundit, sidomos në tregjet në zhvillim si India. . Ajo ka prezantuar së fundmi telefonin inteligjent Elephone P6000 me sistemin Android.
Elephone P6000 operon me sistemin më të fundit të Google-it, Android 5.0 Lollipop. Ky sistem gjendet aktualisht tek pajisjet Nexus dhe disa pajisje Google Play. Elephone bën pjesë tek kompanitë e para teknologjike që kanë përditësuar pajisjet e tyre me sistemin Android 5.0 Lollipop.
Sa i përket karakteristikave të këtij telefoni, ai ka ekran 5 inç HD me rezolucion 1280 x 720 pikselë, procesorin MediaTek MT6732 SoC me shpejtësi 1.5 GHz, 2GB RAM, 16GB hapësirë të brendshme, kamera të pasme 13 megapikselë dhe bateri me kapacitet 2,700 mAh. Ai ofron gjithashtu mbështetje për lidhjen 4G LTE dhe kushton 170 dollarë.
             AL-Kuriozitete

Saturday, December 13, 2014

Aplikacioni HERE Maps mbështet sistemin operativ Android 5.0 Lollipop ......

Aplikacioni HERE Maps për pajisjet Android, i cili u prezantua pak javë më parë, ka marrë përditësimin e tij të parë. Versioni i ri mbështet sistemin më të fundit të Android-it, 5.0 Lollipop, si dhe janë rregulluar disa probleme në lidhje me funksionimin e këtij aplikacioni.
Ky përditësim i ri siguron që skedarët e shkarkuar të zërit janë të ruajtura mirë dhe të sigurta. Meqë aplikacioni HERE Maps është në dispozicion vetëm në faqen ueb  të kompanisë.
Al-Kuriozitete

Google mbyll shërbimin Google News në Spanjë pas miratimit të ligjit të “Taksës së Google-it”

Google do të mbyllë departamentin e saj të lajmeve më 16 dhjetor pas aprovimit të ligjit të “Taksës së Google-it” që do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2015. Ligji i miratuar nga parlamenti spanjoll do të lejojë publikuesit e lajmeve që t’u kërkojnë një pagesë faqeve të tilla si Google News çdo herë që ata shfaqin përmbajtje të lajmeve në rezultatet e kërkimit.
Google pati njoftuar se do të mbyllë faqen e saj të lajmeve në Spanjë nëse do të miratohej ligji i “Taksës së Google-it”. Ne do të vazhdojmë të punojmë me publikuesit spanjollë për t’i ndihmuar ata të rrisin të ardhurat e tyre edhe pse me këtë ligj të ri është pak e pamundur.”
Google po largon publikuesit spanjollë nga faqet e saj të lajmeve. Richard Gingras, drejtori i divizionit të Google News shpjegoi në një postim në blogun e tij se, me hyrjen në fuqi të ligjit nga muaji janar, do të jetë shumë e pakuptimtë për kompaninë që të vazhdojë biznesin e saj në Spanjë.
                                                  Al-Kuriozitete

Mark Zuckerberg do fusi butonin “nuk e pëlqej” tek Facebook-u

Shumë përdorues të Facebook-ut kanë kërkuar që të krijohet butoni “nuk e pëlqej”. Në disa raste është më mirë të “mos e pëlqesh” një status të mërzitshëm, foto ose video, në vend që ta pëlqesh atë.
Facebook po mendon të krijojë një buton të ngjashëm me butonin“nuk e pëlqej”.  Zuckerberg deklaroi gjatë këtij sesioni se filloi të mendonte për butonin “nuk e pëlqej” kur mori disa ankesa nga përdoruesit se nuk ndiheshin rehat kur shtypnin butonin “pëlqej” në disa raste.
Megjithatë, problemi nuk qëndron vetëm në shtimin e një butoni të ri. Zuckerberg mendon për ndikimin që mund të ketë butoni “nuk e pëlqej” tek përdoruesit, ndoshta mund të jetë një ide e mirë krijimi i tij, por mund të shkaktojë edhe zënka ndërmjet përdoruesve.
    Al- Kuriozitete

Japoni, treni arrin shpejtësinë max 500 km/h

Një grup turistash nga bota kanë përjetuar shpejtësinë e trenit më të shpejtë në botë, gjatë testimit të tij në qendër të Japonisë.
Njëqind pasagjerët kanë përshkuar 42.8 km rrugë, mes qyteteve Uenohara dhe Fuefuki, duke arritur shpejtësinë prej 500 km/h.
Kompania Qendrore e Hekurudhave në Japoni është duke bërë testim për trenin e ri eksperimental Shinkansen. Ky tren është shumë i shpejtë se trenat e zakonshëm që janë në Japoni.
Al-Kuriozitete

Laptopët me të rinj Acer-it do të jenë më të fortë dhe të pathyeshëm ne marsi i 2015-ës.



Chromebook-ët, laptopët relativisht të lirë që fuqizohen nga sistemi operativ Chrome i Google-it, janë pëlqyer shumë nga klientët, jo vetëm për çmimin e tyre, por edhe sepse ofrojnë lehtësi nëpërmjet sistemit operativ. 

Acer do të prezantojë të paktën dy Chromebook të ri gjatë vitit të ardhshëm, të cilët do të jenë të fortë dhe të pathyeshëm. Të dyja modelet do të kenë gjithashtu ekrane të mëdhenj, 15.6 inç dhe 11.6 inç.
Laptopi Acer C740 me ekran 11.6 inç do të ketë kasa prej hekuri me mentesha të forta, gjeneratën e pestë të 
procesorit Core Broadwell nga Intel-i, ekran me rezolucion 1,366×768 pikselë, hapësirë të brendshme deri në 32GB, bateri që do të zgjasë për 8.5 orë, 4GB RAM, Wi-Fi, Bluetooth 4.0, USB 3.0, karta SD dhe një portë HDMI. Çmimi do të jetë rreth 250 dollarë.
                                                  Al-Kuriozitete

Telefoni Lenovo K3 përmban veçori shumë të mira dhe kushton më pak se 100 dollarë

Kur mendojmë mbi telefonat inteligjentë me çmim të arsyeshëm, Xiaomi është kompania e parë që na vjen ndërmend. Edhe pse pajisjet e Xiaomi-t janë në dispozicion vetëm në Kinë ose Azi, kompania ka arritur të shesë një numër rekord njësish, falë veçorive të tyre shumë të mira dhe çmimit të arsyeshëm.
Lenovo ka vendosur të ndjekë hapat e Xiaom-it, duke krijuar pajisje me parametra mestarë dhe çmim të arsyeshëm. Kompania prezantoi sot telefonin e saj inteligjent më të fundit, i quajtur  Lenovo K3. Ndoshta nuk është telefoni inteligjent më i fuqishëm i krijuar deri tani, por çmimi i tij e bën që të cilësohet si telefoni i duhur për t’u blerë.
Për një shumë prej 97 dollarësh, ju do të keni mundësi të blini një telefon inteligjent me ekran 5 inç me rezolucion 720 pikselë HD, procesorin Qualcomm Snapdragon 410, 1GB RAM, 4G LTE, kamera të pasme 8 megapikselë, kamera ballore 2 megapikselë, altoparlantët Waves MaxxAudio dhe bateri me kapacitet 2,300mAh. Për momentin, Lenovo K3 do të shitet vetëm në tregun kinez
Al-Kuriozitete

Candy Crush Saga tani mund të luhet edhe në pajisjet Windows Phone

Loja më popullore dhe më e pëlqyer në pajisjet mobile, Candy Crush Saga, mund të luhet tani edhe nga pajisjet Windows Phone. Loja mund të instalohet falas nga Windows Phone Store.
Candy Crush Saga luhet në pajisjet Windows Phone ashtu si tek pajisjet iOS dhe Android. Loja përmban blerjet brenda aplikacionit, që do të thotë se ju duhet të paguani para kur nivelet të bëhen më të vështira.
Përdoruesit e pajisjeve Windows Phone nuk kanë pse të shqetësohen për pajtueshmërinë e harduerit me lojën. 
                     Al-Kuriozitete

Microsoft konfirmoi se eventi i ardhshëm për Windows 10 do të organizohet më 21 janar

Microsoft do të organizojë një event më 21 janar, ku do të flasë për platformën Windows 10. Këtu kompania mund të flasë për versionin për konsumatorë të 
Windows 10. Eventi do të jepet drejtpërdrejt në internet dhe do të mbajnë fjalime shefi ekzekutiv i Microsoft-it, 
Satya Nadella, shefi i Windows-it, Terry Myerson, shefi i departamentit të pajisjeve elektronike, Joe Belfiore, dhe kreu i Xbox, Phil Spencer.
Kompania ka publikuar vetëm ftesën e saj zyrtare për momentin (siç mund ta shihni më sipër), dhe nuk ka bërë të ditur se për çfarë do të organizohet kjo ngjarje. Megjithatë, muajin e kaluar u fol se nga fundi i janarit të 2015 mund të prezantohen të gjitha veçoritë e platformës Windows 10 për konsumatorë. Microsoft mund të flasë gjithashtu për herë të parë për integrimin e platformës Windows 10 tek telefonat dhe tabletët.
Windows 10 është prezantuar fillimisht në muajin shtator, por kompania zbuloi në atë kohë vetëm veçoritë e kësaj platforme për zhvilluesit. Gjiganti i softuerit zbuloi gjithashtu se kjo platformë e re do të jetë në dispozicion për shumë pajisje, si telefona, tabletë, kompjuterë dhe konsolat Xbox One.
                                                                 Al-Kuriozitete

Aplikacionet MSN tani i gjejmë edhe tek pajisjet iOS dhe Android

Microsoft po vërteton dita ditës se do të arrijë tek të gjithë konsumatorët, pavarësisht platformave që ata po përdorin. Kompania prezantoi së fundmi paketën e saj të aplikacioneve MSN për pajisjet iOS dhe Android.
Aplikacionet si Lajmet, Shëndeti& Fitness, Ushqim dhe Pije, Para do të jenë në dispozicion në pajisjet iOS, Android, madje edhe tek versioni i Android-it për Amazon. Aplikacioni Moti do të jetë në dispozicion fillimisht në pajisjet Android, ndërsa më vonë do të vijë edhe tek pajisjet iOS.
Këto aplikacione do të ofrojnë përmbajtje nga gazeta prestigjioze si The New York Times, Bloomberg, The Guardian. Paketa e aplikacioneve MSN mund të shkarkohet falas nga App Store ose Play Store.
                                                              Al-Kuriozitete

Apple shton pagesat me PayPal në dyqanet në internet

Që nga sot, dyqanet në internet të Apple-it në Amerikë dhe Britani kanë një opsion të ri për pagesa, PayPal-in. 
Përveç pagesave me karta krediti, shtetasit amerikanë dhe britanikë do të kenë mundësi të përfundojnë blerjet e tyre nëpërmjet transaksioneve me PayPal.
Apple po promovon gjithashtu metodën e pagesës nëpërmjet kreditit PayPal, që i lejon blerësit të paguajnë për një artikull me këste deri në 18 muaj pa interes.
PayPal ka qenë një opsion pagimi në dyqanet virtuale të aplikacioneve, App Store dhe iTunes Store, të Apple-it, kështu që tani është momenti që ky opsion të vijë edhe në dyqanet e saj në internet. Për momentin, ju mund të përdorni PayPal-in vetëm për blerjet në SHBA dhe Britani.
Al-Kuriozitete

Friday, December 12, 2014

Google liston aplikacionet, filmat dhe këngët më të shkarkuara për vitin 2014

Google sapo ka publikuar një listë me aplikacionet, filmat dhe këngët më të mira të vitit në Google Play. Frozen, The Walking Dead dhe kënga Fancy e Iggy Azalea kryesojnë listën në kategoritë e tyre përkatëse. Në Google Play Store, aplikacionet më të shkarkuara ishin Duolingo, Netflix, Facebook dhe MyFitness Pal. Sipas Google-it, kategoritë e aplikacioneve më të pëlqyera ishin Shëndeti dhe Aktiviteti në Palestër.

Aplikacionet

Aplikacionet më të shkarkuara në vitin 2014 sipas kategorive

Edukimi: Duolingo
Shëndeti: MyFitnessPal
Muzikë: Pandora
Fotografi: Flipagram
Rrjetet sociale: Facebook
Argëtim: Netflix
Sport: NFL Mobile
Udhëtim: TripAdvisor

Lojërat

Lojërat më të shkarkuara për vitin 2014

Candy Crush Saga
Don’t Tap The White Tile
Farm Heroes Saga
Subway Surfers
Clash of Clans

Filmat dhe shfaqjet televizive

Filmi i vitit: Frozen
Shfaqja televizive e vitit: The Walking Dead
Aktori më i kërkuar në Google Play: Robin Williams

Muzikë

Albumi i vitit: Frozen
Kënga e vitit: Dark Horse e Katy Perry
Kënga e verës: Fancy e Iggy Azalea

Burimet e lajmeve për vitin 2014

The New York Times
TMZ
Forbes Now
The Verge
The Huffington Post
The Daily Beast
The Wall Street Journal
Gizmodo
Android Central

Librat e vitit:

Faji nën yjet tanë
50 hijet e Greit
Divergjent
12 vjet sllav
Kryengritës
Al-Kuriozitete

Zbulohen në internet veçoritë e Samsung Galaxy E5 dhe E7

SamMobile, një burim i besueshëm lajmesh për Samsung-un, publikoi disa nga karakteristikat e dy telefonave inteligjentë të ardhshëm të kompanisë, 
Samsung Galaxy E5 (SM-E500F) dhe E7 (SM-E700F). Ata mund të bëjnë pjesë tek telefonat inteligjentë me parametra mesatarë dhe me ekrane të mëdhenj.
Sipas SamMobile, telefoni inteligjent Samsung Galaxy E7 do të ketë ekran 5.5 inç Super AMOLED me rezolucion 720 pikselë, procesorin Snapdragon 410 me shpejtësi 1.2 GHz, 2GB RAM, 16GB hapësirë të brendshme dhe bateri me kapacitet 2,950mAh. Përmasat e tij janë 151×77×7.2 mm. Ai do të operojë me sistemin operativ Android 5.0 Lollipop me ndërfaqen TouchWiz UI të Samsung-ut.
Sa i përket telefonit Galaxy E5, ai do të ketë ekran 5 inç dhe bateria do të jetë me kapacitet 2300mAh, ndërsa specifikat e tjera do të jenë të njëjta me telefonin Galaxy E7. Ky telefon do të jetë pak më i hollë, 6.9 mm, dhe peshon 140 gramë.
Prezantohet në tremujorin e parë ose të dytë të 2015.
Al-Kuriozitere

Thursday, December 11, 2014

Zbulohet virusi i rrezikshëm kompjuterik

Një program kompjuterik jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe mjaft i fshehtë është zbuluar rastësisht nga kompania e sigurisë së sistemeve kompjuterike dhe internetit, Simantek.
Ekspertë të saj thanë se virusi kibernetikë ishte evidentuar në serverët e disa kompanive të mëdha që ofrojnë shërbimin e internetit, si korporata botërore energjie, kompani ajrore, sigurimi e madje edhe në laboratorë të mëdhenj kërkimesh shkencore. Virusi infiltrohej me një mënyrë të fshehtë, që deri më tani nuk ishte hasur asnjëherë nga antiviruset aktual.
Fshehja e gjurmëve ishte gjithashtu një veti unike. Sipas ekspertëve, këto veçori të japin të kuptosh se qëllimi kryesor i virusit ishte mbikëqyrja në fshehtësi i objektivave të tij, për një kohë të gjatë. Hidhen dyshime se kjo mund të mos jetë vepër e piratëve kibernetikë, por e ndonjë shërbimi inteligjent kombëtar.
Sipas Simantek, 29% e firmave nën mbikëqyrjen e këtij programi ishin ruse dhe 24% arabe.
Al-Kuriozitete

Microsoft pranon bitcoin në dyqanet e saj virtuale

Microsoft do të lejojë përdoruesit të paguajnë me bitcoin për lojërat, aplikacionet dhe përmbajtjet. Përdoruesit në Amerikë mund të përdorin monedhat virtuale bitcoin për të shtuar kreditet në llogaritë e tyre Microsoft. Nëpërmjet tyre ata mund të shkarkojnë muzikë, filma dhe aplikacione në Windows, Windows Phone dhe Xbox Stores.
Konsumatorët mund të përdorin monedhat virtuale bitcoin për të transferuar para tek portofoli i Microsoft-it ose për të krijuar karta krediti digjitale, ndërsa pagesat direkt me këtë monedhë digjitale nuk lejohen për momentin.
Al-Kuriozitete

Wednesday, December 10, 2014

Firefox do të vijë së shpejti në pajisjet iOS

Zyrtarët e Microsoft-it kanë bërë të ditur se shfletuesi Firefox do të vijë së shpejti tek pajisjet iOS. Pavarësisht rivalitetit me platformën e Apple-it, shfletuesi popullor vendos më të fund të vijë tek pajisjet iOS për nder të përdoruesve të saj.
Sistemi iOS i Apple-it nuk lejon përdorimin e shfletuesve të motorëve të kërkimit të palëve të treta, që do të thotë se i vetmi shfletues që gjendet tek platforma është Safari. Kjo është edhe arsyeja se përse Mozilla ka ngurruar në sjelljen e shfletuesit të saj tek platforma iOS.
Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar, kompania do të shkojë aty ku janë përdoruesit e saj dhe do të zhvillojë një version të shfletuesit të saj Firefox për iPhone dhe iPad. Kompania nuk ka dhënë një datë të saktë se kur mund të vijë ky shfletues për pajisjet iOS.

LG L25- telefoni i parë inteligjent me sistemin Firefox

LG do të shtojë një pajisje të re në portofolin e saj të telefonave inteligjentë. I quajtur LG L25, telefoni i sapo shfaqur në internet thuhet se do të jetë pajisja e parë e kompanisë që do të fuqizohet nga platforma Firefox.
Lajmi vjen edhe me disa imazhe të pajisjes ku shfaqet ndërfaqja e përdoruesit. Këto foto janë shfaqur në llogarinë e famshme në Twitter, @upleaks. Nuk janë zbuluar më shumë specifika të harduerit të telefonit, por shpresojmë që të marrim më shumë informacione në javët në vazhdim.

Asistenti virtual Cortana i disponueshëm në disa shtete të reja

Asistenti virtual Cortana do të zgjerohet në disa shtete të reja, si Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë. Kështu Cortana, përveç anglishtes, tani do të flasë spanjisht, italisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Microsoft njoftoi se gjuhët e reja për asistentin virtual Cortana janë akoma në versionin  ‘alpha’ dhe ata që duan ta përdorin duhet të instalojnë platformën Windows Phone për zhvillues.
Duhet të theksojmë që, meqë këto gjuhë mbështeten vetëm në versionin alpha, mund të zhvillohen viruse nga të gjitha anët. “Alpha do të thotë që asistenti virtual Cortana është i ri në këto shtete,” shpjegoi Marcus Ash. Shumë veçori të versionit beta janë në dispozicion edhe në versionin alpha, por ka edhe veçori të tjera që mungojnë.”
Ju tani mund të pyesni Cortana-n nëse i pëlqejnë Krishtlindjet apo një festë tjetër. Cortana do të japë të dhëna edhe mbi futbollin evropian, dhe mund t’ju tregojë edhe barcaleta.

Pishina më e thellë në botë, në Itali

Y-40 është pishina më e thellë në botë. Kjo pishinë është krijuar në Itali nga hoteli me katër yje, Terme Millepini, në Venecia. Kjo pishinë quhet Y-40 për shkak të thellësisë që ajo ka, 40 metra nga boshti vertikal.
Pishina nuk është aq e thellë në të gjithë sipërfaqen e saj. Sipërfaqja është 21 x 18 metra, dhe në fillim është 15 metra e thellë, ndërsa nga mesi fillon e thellohet më shumë, duke arritur në 40 metra thellësi. Forma e saj transformohet në një tub cilindrik që është 25 metra i thellë.
Pishina cilindrike, e cila është dizajnuar nga arkitekti italian Emanuele Boaretto, është hapur në muajin qershor dhe është e nxehtë rreth 320C, që do të thotë se zhytësit nuk do të kenë nevojë të veshin kostum zhytjeje ndërsa notojnë në këtë pishinë. Y-40  ka fituar Rekordin Botëror Guinness si pishina më e thellë e krijuar deri tani.

Tuesday, December 9, 2014

Samsung- kompania e dytë për investimin në teknologjitë e reja

Sipas një raporti të publikuar nga firma kërkimore Strategy&, Samsung zë vendin e dytë si kompania që ka investuar më shumë për kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja gjatë vitit 2014. Kompania koreano-jugore listohet në vend të parë nga të gjithë kompanitë teknologjike dhe në vend të dytë nga të gjitha industritë. Vendi i parë kryesohet nga kompania Volkswagen.
Sipas këtij raporti për vitin 2014, kompania ka rritur fuqinë e saj punëtore për kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja me 27% që nga viti 2010, ku tani ka rreth 63,628 punonjës. Në vitin 2012, Samsung hapi një qendër për zhvillimin e teknologjive të reja në Finlandë, si dhe një qendër tjetër në Silicon Valley pas një viti. Këtë vit, kompania ka shpenzuar rreth 6.4% të të ardhurave të saj në total, ose 13.4 miliardë dollarë, për kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja.
Intel, një nga kompanitë më të mëdha për krijimin e çipeve, qëndron në vend të tretë, ku ka shpenzuar 10.6 miliardë dollarë për kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja në vitin 2014. Kompani të tjera teknologjike që bëjnë pjesë në listën e Strategy& 2014 janë edhe Microsoft dhe Amazon, që qëndrojnë në vend të katërt dhe të katërmbëdhjetë, respektivisht. Nga ana tjetër, Apple, një nga rivalët e Samsung-ut, nuk bën fare pjesë në listë. Gjiganti i kërkimit në internet, Google, listohet në vend të dymbëdhjetë.

HTC Desire 620 prezantohet për Evropën

HTC prezantoi fillimisht telefonin Desire 620 në fund të muajit nëntor, por atëherë e krijoi vetëm për tregun tajvanez, ku ka edhe selinë e saj. Tashmë pajisja është prezantuar edhe për Evropën, ku do të dalë në treg në tremujorin e parë të vitit 2015. Desire 620 është një pasardhës i Desire 610, që doli në treg në fillim të këtij viti.
Telefoni vjen me ekran me prekje 5 inç me rezolucion 720 pikselë Super LCD, kamera të pasme 8 megapikselë me blic LED, kamera ballore 5 megapikselë, 1GB RAM, 8GB hapësirë të brendshme dhe kartën microSD.
Ai përmban procesorin Qualcomm Snapdragon 410 SoC me katër bërthama me shpejtësi 1.2GHz dhe fuqizohet nga një bateri me kapacitet 2,100 mAh. Desire 620 ofron mbështetje për rrjetet 4G LTE. Ai do të ofrohet në tri ngjyra: e bardhë, gri me vija portokalli dhe gri të shndritshme.

Krijohet super-jahti prej bronzi

Projektuesi italian i super-jahteve, Federico Fiorentino, ka zbuluar një koncept të ri të jahteve, që një ditë mund të jenë mjeti lundrues për një miliarder apo miqtë e tij të famshëm. Anija luksoze, e quajtur The Belafonte, është një super-jaht me një hark mbresëlënës të jashtëm prej bronzi, që  kap reflektimin e diellit nga deti.
Ky jaht është i gjatë gati 50 metra dhe ka hapësirë të mjaftueshme për t’u relaksuar apo për të organizuar festa. Jahti ka pesë kabina luksoze, si një suitë VIP, dy kabina të ngjashme dhe një kabinë të dyfishtë. Me një sipërfaqe prej 83 m2, jahti përmban një studio të ndarë, një ballkon, dy tualete, pishinë. Shpejtësia e këtij super-jahti arrin deri në 43 km/h.

Meizu do të prezantojë një telefon të ri inteligjent më 8 dhjetor

Meizu njoftoi se do të prezantojë një telefon të ri inteligjent të hënën, më 8 dhjetor. Gjatë një interviste të dhënë për portalin kinez ZOL, zëvendëspresidenti i kompanisë, Li Nan, iu referua pajisjes si një “telefon inteligjent cilësor” i krijuar posaçërisht për të rinjtë.
Lan nuk zbuloi detaje të tjera mbi këtë telefon, megjithatë ka shumë mundësi që pajisja në fjalë të jetë telefoni i shumëpritur Meizu K52 që është shfaqur së fundmi tek data-baza GFX Bench. Telefoni inteligjent do të operojë me sistemin Android 4.4.4 KitKat dhe do të fuqizohet nga procesori MediaTek MT6752 me tetë bërthama me shpejtësi 1.7 GHz. Ekrani i tij do të jetë 4.6 inç me rezolucion 1920×1080 pikselë. Telefoni do të ketë edhe 2GB RAM, 12GB hapësirë të brendshme dhe mund të kushtojë rreth 160 dollarë.
Përveç kësaj, Lan theksoi gjithashtu se kompania nuk ka në plan të prezantojë versione mini të telefonit MX.

Sony do të prezantojë një televizor të ri Android në fillim të 2015-ës

Në fillim të këtij viti, Google zbuloi se ka në plan të vijë tek shtëpitë tuaja. Ajo zbuloi platformën Android TV, e cila do të përdoret nga shumë kompani teknologjike që merren me prodhimin e televizorëve. Sony është kompania e fundit që do t’i bashkohet listës dhe do të krijojë një televizor me platformën Android TV.
Pajisjet e Sony-t me platformën Android TV mund të dalin në treg në fillim të muajit shkurt të 2015-ës. Televizorët inteligjentë të Sony-t me platformën Android TV do të kenë ndërfaqen e përdoruesve dhe do të lejojnë përdoruesit të aksesojnë përmbajtjet nga Google Play Store. Këta televizorë do të ofrojnë gjithashtu mbështetje për Google Play Music, Play Movies si dhe aplikacione të tjera.
Televizorët e Sony-t do të jenë të madhësive të ndryshme, dhe me rezolucion 1080 pikselë dhe 4K. Sony mund të prezantojë televizorët e saj inteligjentë Android në panairin CES 2014 në Las Vegas, gjatë javës së parë të janarit.