Zyra Federale e Investigimit (FBI) është vënë në lojë nga piratët kibernetikë, që fshihen pas sulmit të kompanisë Sony, me një mesazh me video, ku në fillim duket sikur po e lavdërojnë atë për hetimin “e shkëlqyer”.
Piratët kibernetikë, që vetëquhen “Guardians of Peace,” shprehen në mesazh se “Rezultati i hetimit nga FBI-ja është aq i drejtë sa ju mund të shihni me sytë e tuaj se çfarë kemi bërë. Ju përgëzojmë për suksesin tuaj. FBI-ja është më e mira në botë.”
Piratët kibernetikë hynë në sistemet e Sony-t dhe vodhën dokumente të rëndësishme një muaj më parë, pastaj i kërkuan Sony-t që të anulojë publikimin e filmit ‘The Interview’, sepse përmban një komplot për të vrarë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un. Sony iu nënshtrua kërkesave të tyre, pasi ata zbuluan detaje personale të punonjësve të kompanisë.
Në videon, që piratët kibernetikë e quanin si “dhuratë për FBI-në”, jepen një sërë fytyrash gazmore në trupa të animuar duke kërcyer dhe bërtitur, “Ju jeni idiot!” Mesazhi është si përgjigje e njoftimit të djeshëm të FBI-së, që deklaroi se ka informacione të mjaftueshme që tregojnë se pas sulmit të Sony-t fshihet qeveria e Koresë së Jugut.
No comments:
Post a Comment